Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të sotëm në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se takimi ka qenë konstruktiv nga pala kosovare, por jo edhe nga delegacioni serb.

 

“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces, i cili është i vështirë. Derisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozuam të iniciojmë marrëveshjen e re SEFTA, ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, të cilin e kanë shtetet si Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE-në. Propozim i dytë ishte që një ditë pas samitit të djeshëm të NATO-s, ku u dhanë porosi të qarta dhe unanime, të nënshkruhet marrëveshja e paqes mes Kosovës e Serbisë që s’do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Propozimi tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve, duhet të largohet nga delegacioni serb, Velkjo Odaloviq, i cili bashkë me Zoran Angjelkoviqin e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar, siç e kanë quajtur atëherë Qarkun e Kosovës. Dhe propozimi i katërt, për pakicat, ishte reciprociteti bilateral, që është parim i përgjithshëm, ku për serbët në Kosovë do të kishim Këshill Nacional siç është në Serbi për shqiptarët e boshnjakët. Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, por për SEFTA-n nuk dhanë përgjigje. Shpresoj se do ta konsiderojnë seriozisht propozimin tonë që e bëmë sot”, ka thënë Kurti.

SHIKO REKLAMEN INFORMOHU PËR MË TË REJAT

Ai tha se takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, më 25 korrik.