Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit dhe ish-shefit të Inteligjencës së UÇK-së, Kadri Veselit, ka vdekur sot. Muajt e fundit të jetës së tij, ai i kaloi pa djalin e tij, i cili në fillim të nëntorit të vitit të kaluar bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së u arrestua me urdhër të Gjykatës Speciale dhe u dërgua në paraburgim në Hagë.

 

Në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, babai i Veselit kishte treguar se çfarë fliste me djalin e tij më të vogël gjatë kohës kur ai kishte vendosur t’i përkushtohej luftës me Serbinë dhe të përgatitej strategjikisht për përballjen e përgjakshme që dukej e pashmangshme.

SHIKO REKLAMEN INFORMOHU PËR MË TË REJAT

“I kam thanë ‘bre bir, i keni nis do sene që është zor me u dalë në krye’. ‘Hajt babë mos kij ti gajle’, qet’ fjalë ma ka përmend”, tregonte Fazli Veseli.

Ai kujtonte edhe kohën gjatë viteve të ’90-ta, kur autoritetet serbe e kërkonin djalin e tij, Kadriun.

“Vallahi drejt me thanë janë ardhë, po unë nuk u kam dhanë fort… ma së pari qyqan nuk jam kanë kurrë. Iu kam thanë ai është në shkollë, unë në shkollë e kam çu, veç me u shkollu e me ditë diçka”, tregonte ai.

Fazli Veseli thoshte se “Prej që më ka falë Zoti, gjithë të ndrydhur jena kanë”. Por ai shprehej i lumtur që në vitin 2018 mund ta shijonte lirinë dhe t’i shihte në krye të shtetit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mirë që na bani Zoti nasip, po i shohim djemtë tanë, po na udhëheqin djemtë tanë, ma mirë çka do tjetër?”, thoshte babai i Kadri Veselit për RTK-në.

Fazli Veseli prej muajsh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës në maj të këtij viti. Gjykata Speciale e liroi përkohësisht për ta bërë këtë vizitë.

Me të mbërritur në Kosovë, Veseli kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Pas qëndrimit në Kosovë, ai ishte kthyer sërish në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahet nën akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.