
Nesër vazhdon gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së
Pas më shumë se 2 jave pushime të verës, nesër në Dhomat e Specializuara të Hagës do të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Deri më tash në rastin e krerëve të UÇK-së janë dëgjuar 15 dëshmitarë që nga muaji prill kur ka nisur gjykimi. Nesër pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të 16-të,.
Tashmë, Prokuroria e ka dorëzuar listën me dëshmitë e dëshmitarëve të radhës, dhe atyre rezervë që planifikon t’i ftojë për të dhënë dëshmi.
Procesi ndaj krerëve të UÇK-së filloi më 4 prill, dhe 15 dëshmitarët e parë u dëgjuan deri kah fundi i këtij muaji. Pra në total, katër muaj për 15 dëshmitarët e parë.
Nëse Prokuroria qëndron prapa deklaratave të saj për dëgjimin e 300 dëshmitarëve në këtë proces, atëherë i bie që gjykimi në rastin kryesor të Speciales të shkojë deri në gjashtë vjet e 8 muaj. Duke llogaritur këtu edhe kohën që Thaçi e të tjerët janë në paraburgim, atëherë krerëve të UÇK-së i bie të qëndrojnë rreth 10 vjet në Qendrën e Paraburgimit.
Megjithatë, edhe nëse Prokuroria i largon një numër dëshmitarësh, gjykimi pritet të jetë i gjatë. Nëse Prokuroria e Specializuar i thërret për të dëshmuar 240 dëshmitarë, atëherë i bie 64 muaj. Kthyer në periudhë vjetore, 5 vjet e katër muaj.
Nëse ulet edhe më shumë numri i dëshmitarëve në 150, atëherë procesi gjyqësor në Hagë mund të përfundojë për 40 muaj, apo 3 vjet e katër muaj.
Por, cili ishte roli dhe cila pritet të jetë dëshmia e këtyre dëshmitarëve?
Një dëshmitar me shifrën W04586 flet direkt për një rrëmbim duke pretenduar se arsyeja ishte përkrahja e tij për LDK-në edhe pse nuk ishin aktivë në politikë. Sipas këtij dëshmitari, ai dhe familja e tij u ndaluan në një pikë kontrolli, dhe atë e akuzuan se i takon një familje spiunësh. Në këtë ndalesë, u mor njëri nga anëtarët e familjes së tij. Sipas dëshmitarit, mbetjet e familjarit që u ndalua u identifikuan në vitin 2005. Sipas këtij dëshmitari, edhe në raste të tjera ushtarët e UCK-së i kishin shkuar në shtëpi duke i akuzuar për spiunë.
Një dëshmitar me shifrën W0382 pritet të dëshmojë për një ndalim që ia kanë bërë disa ushtarë të UÇK-së. Përderisa anëtarët e familjes së tij i lejuan të largohen, atë personalisht e kishin ndaluar me arsyetimin se disa struktura të UÇK-së po duan të bisedojnë me të. Ky dëshmitar e kishte përmendur me emër edhe Hashim Thaçin. Në dokumentet e Prokurorisë thuhet se ky dëshmitar në një moment ka parë disa tensione ndërmjet disa anëtarëve të LDK-së dhe UÇK-së.
Një dëshmitar tjetër sekret me shifrën W03880 në dëshminë e tij pretendon se ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së, me arsyetimin se nuk kishte marrë autorizimin e duhur për të hyrë në territorin e kontrolluar nga UÇK-ja. Ai pretendon të jetë sulmuar nga një ushtar. Ai kishte rrëfyer se janë mbajtur me sy të mbyllur dhe ishin goditur me shkelma.
E dëshmitari me shifrën W04769 thotë se kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri për të mbledhur armë, dhe u kthye në Kosovë ku po i monitoronte pozicionet e forcave serbe. Pra, që nënkuptohet se mund të ketë qenë pjesëtar i UÇK-së. Ky dëshmitar ka përmendur një takim që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Prokuroria thotë se ky dëshmitar është në dijeni të strukturës komanduese të UÇK-së, punës së brigadave, gjykatës ushtarake. Pra, ky dëshmitar pritet të përdoret nga Prokuroria për ta paraqitur UÇK-në si ushtri të organizuar mirë.
Ngjashëm është edhe çështja e dëshmitarit W03724. Edhe ky pretendohet të ketë pasur një rol në kohën e luftës. Ai ka pasur dijeni të qarta për organizimin e UÇK-së. Sipas dokumentit, ky dëshmitar ka tentuar të marrë informacione për zhdukjen e Ymer Xhafiqit. Ai e përmend Ekrem Rexhën e njohur si komandant Drinin dhe një bisedë të tij me shefin e OSBE-së lidhur me zhdukjen e Xhafiqit.
Një tjetër dëshmitar del të jetë serb. Ai me shifrën W00072 tregon se si një grua serbe, burri e djali dhe anëtarë të tëjerë serbë ishin sulmuar në shtëpinë e tyre nga ushtarë të UCK-së. Sipas kësaj dëshmitareje, ata u mbajtën në një vend ndaras nga burrat. Ajo ka treguar se burrin e saj e ka parë vetëm një herë. Sipas saj, bashkëshorti kishte pasur mavijosje në fytyrë.
Dëshmitari me shifrën W1054 pretendon të jetë rrëmbyer nga ushtarë të UÇK-së dhe është dërguar në bodruimin e një ndërtese. Ai thotë se janë mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe në kushte të këqija. Sipas tij, kur hanin ushqim kishin probleme si pasojë e gjakut. Në këtë vend, dëshmitari pretendon ta ketë parë Fatmir Limajn dhe Tahir Sinanin.
Një dëshmitar W02153 pritet të jetë ish-oficer i ushtrisë së Britanisë. Ai del të ketë hetuar rastet e personave të ndaluar nga UÇK-ja në Rahovec. Ky pretendon se dikush i kishte thënë se udhëheqës i një qendre të paraburgimit ishte Jakup Krasniqi. Ai pretendon të ketë pasur informacione për Nexhmi Krasniqin dhe Elmi Krasniqin që ishin marrë në pyetje pasi nuk ishin përkrahës të UÇK-së. Ky oficer ka thënë se ka biseduar disa herë me Sabahajdin Cenën për këta persona të zhdukur.
Dëshmitari me shifrën W04368 pretendon se ishte rrëmbyer nga ushtarë të UÇK-së pasi e akuzonin për spihun. Ai ka përmendur disa emra të ushtarakëve por të cilët Prokuroria nuk i ka bërë publik.
Këto janë vetëm përmbledhjet e pretendimeve të dëshmitarëve të ardhshëm në rastin e krerëve të UÇK-së. Nuk dihet nëse dëshmitë e tyre do të jenë publike në mënyrë që të sigurohet transparenca për qytetarët, pasi pjesa më e madhe e seancave deri më tash kanë qenë të mbyllura.