Kurtit i ‘dalin për hundësh’ mizat – dënohet nga PZAP për sjelljet e tij në fushatë

Mizat me të cilat kryeministri Albin Kurti e ironizonte Lidhjen Demokratike të Kosovës, i dolën për ‘hundësh’. Partia e udhëhequr prej tij, Lëvizja Vetëvendosje, është dënuar shkaku i kësaj deklarate.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri Albin Kurti në një tubim politik në Pejë.

Sipas PZAP-së, ankesa është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët e kanë denoncuar Kurtin për shkelje të rëndë të Ligjit për Zgjedhjet.

Një panel i PZAP-së e ka shpallur pjesërisht të bazuar ankesën e LDK-së dhe ka konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Dënimi për Vetëvendosjen ka ardhur si pasojë e fjalimit të Kurtit në të cilin e krahasoi LDK-në me mizat.

“Prandaj kur na rastis të dëshmojmë ndonjë udhëheqës të LYDYKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mi përngjan asaj mizës që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje”, tha tutje Kurti gjatë fjalimit të tij.

Po ashtu, gjatë tubimit në Pejë të hënën, Kurti përdori një term pezhorativ derisa iu referua dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Siç e dini edhe ju vet, LYDYKYHI dhe PYDYKYHI janë në koalicion”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë fjalimit të tij në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë.

PZAP e ka konsideruar pjesërisht të bazuar ankesën e LDK-së duke dënuar LVV-në me 3 mijë euro të cilat duhet ti paguajë në një afat prej 15 ditësh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *